Pedri ndër 30 të nominuarit për “Topin e Artë”: “Synoj të përmirësohem dhe ta fitoj një ditë”

Mesfushori spanjoll i Barcelonës, Pedri, është përfshirë në listën e 30 kandidatëve për “Topin e Artë” të këtij viti, një nga çmimet më prestigjioze individuale në futbollin botëror. Në një intervistë për revistën franceze “L’Équipe”, 21-vjeçari shprehu ambiciet e tij për të bërë më mirë se pozicioni i 24-t në të cilin u rendit në vitin 2021.
Pedri theksoi se sezoni i fundit ishte shumë i suksesshëm në aspektin kolektiv, ndërsa në nivel personal arriti një performancë të lartë. Ai nënvizoi rëndësinë e mesfushorëve në lojë, duke përmendur edhe fituesin e vitit të kaluar, Rodri, si shembull për vlerësimin që duhet t’u jepet atyre. “Ne futbollistët jemi gjithmonë konkurrues dhe duam të përmirësohemi. Pse të mos ëndërroj ta fitoj ndonjëherë edhe unë?”, tha Pedri.
Mes favoritëve për çmimin, Pedri përmendi talentin e ri të Barcelonës, Lamine Yamal, dhe sulmuesin e PSG-së, Ousmane Dembélé. Për Yamal, ai vuri në pah cilësitë në duelet një kundër një dhe stilin argëtues të lojës, ndërsa Dembélé njihet për fuqinë, përdorimin e dy këmbëve dhe golat e shumtë gjatë këtij sezoni.
Pedri shprehu besimin në vetvete për sezonin e ri, falë punës së bërë dhe besimit që trajneri Hansi Flick i ka dhënë. Ai gjithashtu foli me emocion për kthimin në “Camp Nou”, që sipas tij ka marrë një pamje të re dhe kapacitet më të madh, duke i dhënë ekipit një motiv shtesë.
Në lidhje me Champions League, Pedri theksoi pritshmëritë e mëdha për të arritur finalen, duke kujtuar se një finale hipotetike ndaj PSG-së do të kishte qenë shumë e fortë dhe interesante. Ai ndau gjithashtu detaje nga atmosfera në dhomën e zhveshjes, duke përmendur përkushtimin e Robert Lewandowskit dhe humorin e Lamine Yamal.
Mes reflektimeve personale, Pedri nuk harroi largimin e legjendarit Leo Messi nga Barcelona, një moment që e pati prekur shumë gjatë kohës që luante në Lojërat Olimpike. “Unë gjithmonë ia jepja topin Messit, sepse ai e bënte punën më mirë se unë”, kujtoi ai.
Ndërsa për rivalët e përjetshëm, Real Madridin, Pedri foli me respekt për lojtarët si Kylian Mbappé dhe Jude Bellingham, duke vlerësuar aftësitë e tyre të jashtëzakonshme.
Duke u ndalur te krahasimi me mesfushën legjendare të Barcelonës, Xavi-Iniesta-Busquets, Pedri tha: “Nuk jemi në nivelin e tyre ende, por shpresojmë një ditë të arrijmë aty. Ata dhanë gjithçka për klubin dhe kombëtaren, dhe ne përpiqemi të ngjajmë në disa aspekte, megjithëse na duhet ende shumë rrugë për të bërë”.