Kosova

PDK akuzon Qeverinë për bllokim të buxhetit për zgjedhjet lokale: KQZ-së po i pamundësohet organizimi i procesit

Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Ilir Gashi, ka ngritur akuza të ashpra ndaj Qeverisë së Kosovës, duke e cilësuar si papërgjegjësi institucionale dhe shkelje të detyrimeve ligjore mosreagimin e saj ndaj kërkesës për buxhet shtesë për zgjedhjet lokale 2025.

Gashi ka deklaruar se sot bëhen 30 ditë që KQZ ka dërguar një kërkesë zyrtare për fonde shtesë, por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje nga ekzekutivi.

“Sot janë bërë plot 30 ditë që nga momenti kur KQZ ka adresuar një kërkesë zyrtare për buxhet shtesë në drejtim të Qeverisë së Kosovës, në funksion të organizimit të Zgjedhjeve Lokale 2025. Por fatkeqësisht, edhe pas një muaji të plotë, Qeveria nuk ka kthyer asnjë përgjigje,” ka shkruar Gashi.

Ai ka përmendur Nenin 113 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, duke thënë se ky nen e përcakton qartë se është Qeveria ajo që ka për obligim financiar mbajtjen e zgjedhjeve.

Gashi e ka quajtur këtë situatë si të paprecedentë në historinë e zgjedhjeve në Kosovë, duke shtuar se veprimi i Qeverisë rrezikon seriozisht jo vetëm organizimin teknik të zgjedhjeve, por edhe besimin publik në procesin demokratik.

“Asnjëherë më parë në historinë e proceseve zgjedhore në Kosovë nuk ka ndodhur që një kërkesë për buxhet të injorohet në këtë mënyrë,” ka theksuar ai.

Ndërkohë, mbledhja e planifikuar për sot e KQZ-së është shtyrë, dhe sipas Gashit, kjo ndodhi për shkak të mungesës së përgjigjes nga Qeveria.

Ai ka bërë të ditur se drejtori i Sekretariatit të KQZ-së ka përgatitur një raport vlerësues, ku parashihet rishpërndarja e mjeteve ekzistuese për të mbuluar shpenzimet e zgjedhjeve. Por, sipas Gashit, ky raport nuk është miratuar nga anëtarët e KQZ-së dhe nuk përbën zgjidhje të qëndrueshme.

“Ky veprim nuk është kërkuar dhe as miratuar nga anëtarët e KQZ-së. Ne këmbëngulim që Qeveria të përgjigjet zyrtarisht dhe pa vonesa, sepse financimi i zgjedhjeve është detyrim kushtetues dhe ligjor, jo opsion politik,” ka përfunduar Gashi.

Ai ka apeluar që institucionet e vendit, përfshirë Presidenten, si dhe publiku dhe spektri politik, të jenë të informuar për këtë situatë që, sipas tij, rrezikon të dëmtojë rëndë integritetin e zgjedhjeve.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button