Lajme

PD: Shqipëria në krizë të thellë, koha për një kthesë të madhe

Partia Demokratike ka dhënë një deklaratë të fortë politike ku kritikon ashpër gjendjen aktuale të vendit, duke akuzuar qeverinë për korrupsion të shfrenuar, varfëri të thellë dhe braktisje të qytetarëve.

“Në vend të një ekonomie të zhvilluar dhe një shteti që punon për qytetarët, Shqipëria është zhytur në krim të organizuar, papunësi dhe emigrim masiv,” thuhet në deklaratë. Sipas PD-së, pensionistët “jetojnë me thërrime”, të rinjtë “largohen çdo ditë”, dhe shqiptarët përballen me “çmimet më të larta në Ballkan, të paguar me rrogat më të ulëta”.

Deklarata ngre alarmin edhe për mënyrën si janë trajtuar pasuritë kombëtare, të cilat, sipas PD-së, “janë shitur me pazare të pista në korridoret e pushtetit”. Partia më e madhe opozitare shpreh shqetësimin se Shqipëria është kthyer në një vend që “eksportohet në raportet ndërkombëtare vetëm për afera, trafiqe dhe arrogancë shtetërore”.

“Koha thërret për një kthesë të madhe”, thekson PD, duke ftuar qytetarët të mbështesin alternativën e saj: “Të çlirojmë ekonominë, të mbrojmë pasuritë tona, të nderojmë pensionistët dhe të rikthejmë dinjitetin e Shqipërisë në botë!”

Me moton “Për një Shqipëri që ngrihet, jo që përkulet”, Partia Demokratike kërkon besimin e qytetarëve për të ndërtuar një shtet që punon për njerëzit dhe jo për bandat, dhe për të garantuar një të ardhme të sigurt për të rinjtë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button