PD ngre alarmin për votat e diasporës në Greqi: 6000 zarfe në 24 orë, dyshime për manipulim

Partia Demokratike ka ngritur sot shqetësime serioze mbi procesin e votimit të diasporës në shtetin grek, duke folur për parregullsi të rënda dhe indicie për manipulim. Drejtuesi i Departamentit të Drejtësisë në PD, Franc Nuri, deklaroi në një konferencë për media se në emër të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Mbarë” është depozituar një kërkesë zyrtare në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Sipas tij, brenda vetëm 24 orëve janë regjistruar mbi 6000 zarfe votimi nga Greqia, një shifër që përbën më shumë se një të tretën e totalit të votave të ardhura nga ky shtet deri më tani. “Nga fillimi i procesit dhe deri në ditën e djeshme kanë ardhur 17.700 vota, dhe mbi 6000 prej tyre brenda një dite të vetme. Kjo është një indicie alarmante që rrit dyshimet për manipulim”, theksoi Nuri.
Ai kërkoi nga KQZ transparencë të plotë dhe rikthimin e procesit në shinat e ligjshmërisë, duke theksuar se është jetike të vërtetohet nëse votat u janë dorëzuar zgjedhësve në mënyrë individuale. “Kemi kërkuar dokumentacion që provon se zgjedhësit kanë firmosur me ID ose pasaportë për marrjen në dorëzim të materialeve zgjedhore”, deklaroi ai.
PD ka kërkuar që kjo provë të vihet në dispozicion para datës 11 maj dhe ka informuar gjithashtu partnerët ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR për situatën në fjalë.
Franc Nuri nënvizoi se ky veprim është pjesë e një përpjekjeje për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor dhe për të parandaluar çdo devijim nga ligji e kushtetuta.