PD Kukës: PS ka vënë në dispozicion 300 mijë euro për blerjen e votës – Shalsi po ushtron presion mbi administratën

Dy ditë para zgjedhjeve të 11 majit, drejtuesi i degës së Partisë Demokratike në Kukës, Rrahman Dema, ka ngritur akuza të forta ndaj Partisë Socialiste dhe kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se janë vënë në lëvizje mekanizma për blerjen e votës në këtë qark.
Sipas Demës, PS ka shpërndarë një fond prej 300 mijë eurosh për eksponentët lokalë, me qëllim sigurimin e votave, në përpjekje për të ruajtur mandatin e vetëm të deputetit në Kukës. Ai gjithashtu akuzoi drejtuesin politik të PS-së në qark, Eduard Shalsi, për ushtrim presioni ndaj administratës publike, duke kërkuar nga punonjësit të fotografojnë votën e tyre gjatë procesit zgjedhor.
“Paniku ka kapluar Rilindjen. Rama ka vënë në dispozicion 300 mijë euro për blerjen e votës në Kukës, por nuk do t’ia dalin. Turisti Shalsi ka urdhëruar drejtorët patronazhistë të Rilindjes t’u kërkojnë administratës të deklarojnë dhe fotografojnë votën,” tha Dema.
PD i bën thirrje Prokurorisë së Posaçme (SPAK) të monitorojë me kujdes situatën në Kukës dhe u kërkon qytetarëve të distancohen nga këto veprime të paligjshme, që sipas saj cenojnë rëndë integritetin e procesit zgjedhor.