PD kërkon transparencë për votën e diasporës: 8 pika drejtuar KQZ-së

Partia Demokratike i është drejtuar zyrtarisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me një kërkesë për dokumentacion të plotë lidhur me procesin e votimit të emigrantëve shqiptarë. Në shkresën firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, theksohen tetë kërkesa që synojnë garantimin e transparencës dhe integritetit të këtij procesi.
Pika e parë e kërkesës lidhet me dokumentacionin ligjor që vërteton se çdo emigrant i regjistruar në platformën PER ka marrë dhe dorëzuar personalisht zarfin e votimit, ka firmosur vetë dhe ka paraqitur mjet identifikimi.
Demokratët kërkojnë gjithashtu inventarin e plotë të zarfeve të përdorura dhe të papërdorura të diasporës, vendndodhjen aktuale të tyre dhe masat e sigurisë që janë marrë për ruajtjen e tyre.
Në pikën e tretë, PD-ja kërkon numrin e fletëve të votimit të vulosura nga KQZ-ja, por që nuk janë shpërndarë, përfshirë edhe ato të fondit rezervë. Pika e katërt ka të bëjë me sasinë e zarfave të papërdorura të llojit A dhe B dhe vendndodhjen e tyre aktuale.
Në vijim, demokratët kërkojnë informacion mbi zarfat e dorëzuar tek kompania postare DHL, ato që janë kthyer pas si të parregullta për t’u marrë në shpërndarje dhe ato që janë kthyer pas dorëzimit nga votuesit emigrantë.
PD-ja shtron si shqetësim edhe numrin e emigrantëve që kishin adresa të pasakta dhe që kanë kërkuar saktësim pas përfundimit të afatit të regjistrimit në platformën PER.
Gjithashtu, kërkohet vënia në dispozicion e kopjeve të manifestit të dërgesave ditore të zarfave të dërguara dhe të mbërritura, të njëhsuara me origjinalin.
Pika e tetë përmbyll kërkesën me procesverbalet mbi gjendjen numerike dhe fizike të dërgesave që DHL ka raportuar në zonën doganore, si dhe çdo ndërhyrje të mundshme nga autoritetet doganore apo policore në administrimin e zarfave.
Me këtë shkresë, Partia Demokratike kërkon një hetim të thelluar mbi procesin e votës nga jashtë, duke ngritur dyshime për mundësinë e parregullsive dhe duke theksuar nevojën për transparencë të plotë në administrimin e votës së diasporës.