Lajme

PD kërkon transparencë për skandalin e qumështit me alfatoksinë: “Ministria po fsheh rastet”

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike dhe kandidati për deputet, Grigels Muçollari, ka kërkuar transparencë nga Ministria e Bujqësisë në lidhje me skandalin e fundit të zbuluar nga emisioni “Piranjat” në Syri TV, ku raportohet për praninë e alfatoksinës në qumështin e tregtuar në vend.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Muçollari u shpreh se skandali është pranuar edhe nga vetë Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), duke konfirmuar të paktën 6 raste të verifikuara përmes analizave të kryera.

“Ndryshe nga Bashkimi Europian, që ka protokolle të rrepta për kontrollin e kësaj substance helmuese, ministrja Anila Denaj njeh vetëm protokollet e mbajtjes së fshehtë të skandaleve, siç ka ndodhur më parë me salmonelën apo pesticidet në mandarina”, u shpreh Muçollari.

Ai akuzoi ministren Denaj për neglizhencë dhe shpërdorim detyre, ndërsa theksoi se alfatoksina është një substancë toksike që rrezikon seriozisht shëndetin e qytetarëve, pasi rastet e zbuluara i përkasin qumështit të konsumuar që nga janari i këtij viti.

Muçollari i kërkoi publikisht ministres Denaj që, në ditët e fundit të mandatit të saj, të bëjë transparencë të plotë mbi burimin e alfatoksinës dhe masat e ndërmarra për të garantuar sigurinë ushqimore.

Ai gjithashtu i bëri thirrje SPAK të hetojë rastin, duke e konsideruar mosveprimin institucional si një shkelje të rëndë të ligjit dhe një kërcënim për shëndetin publik.

PD njoftoi se do ta shpallë institucionin e Sigurisë Ushqimore si pjesë të Sigurisë Kombëtare, dhe po punon me ekspertë për një platformë të re që do të transformojë rrënjësisht sistemin e kontrollit të ushqimeve në vend, duke garantuar standarde të larta për çdo familje shqiptare.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button