PD kallëzim penal ndaj Bashkisë së Vlorës: Landfilli i Sherishtës, vetëm një manovër elektorale

Partia Demokratike, Dega Vlorë, ka depozituar një kallëzim penal ndaj Bashkisë së Vlorës dhe kryetarit të saj, Ermal Dredha, me akuza për shpërdorim detyre dhe krim zgjedhor. Kallëzimi është firmosur nga kryetari i degës lokale të PD-së, Hysni Sharra, kandidati për deputet Mario Meminaj dhe avokati Arlind Limaj.
Sipas tyre, objekti i kallëzimit është landfilli i Sherishtës, i cili është vënë në funksion më 27 prill, vetëm pak kohë para zgjedhjeve, me qëllim për të krijuar perceptimin e përmbushjes së një premtimi elektoral.
“Është premtuar disa herë hapja e tij, por landfilli u vu në funksion vetëm në datën 27 prill për të krijuar idenë e një premtimi të mbajtur,” – deklaroi Hysni Sharra në një dalje për mediat. Sipas tij, aktualisht në këtë landfill depozitohen vetëm mbetje urbane, pa u kryer asnjë proces seleksionimi apo menaxhimi sipas standardeve.
PD e konsideron këtë veprim si një manipulim të qëllimshëm të opinionit publik dhe një abuzim të rëndë me detyrën, duke theksuar se pasojat prekin jo vetëm mjedisin, por edhe integritetin e procesit zgjedhor.
Partia Demokratike kërkon që organet e drejtësisë të nisin një hetim të thelluar dhe të mbajnë penalisht përgjegjës drejtuesit lokalë për atë që e cilësojnë si një çështje me pasoja të rënda për qytetarët e Vlorës.