PD denoncon falsifikim të dokumenteve zgjedhore në Tiranë: 20 karta vëzhguesish të rreme në qarkullim

Partia Demokratike ka ngritur një alarm serioz për një rast të falsifikimit të dokumenteve zgjedhore në një nga qendrat e votimit në Tiranë. Sipas denoncimit të bërë publik, skandali është zbuluar pranë shkollës “Konferenca e Pezës”, ku janë kapur 20 karta vëzhguesish të dyshuara si të falsifikuara.
Burime për Syri Televizion bëjnë me dije se këto karta po përdoreshin për të futur në qendrën e votimit persona të paautorizuar, në kundërshtim me rregullat zgjedhore dhe në dëm të integritetit të procesit.
Përveç kësaj, një qytetar ka raportuar përmes mesazhi në redaksi një tjetër shqetësim që lidhet me përdorimin e pajisjes së identifikimit elektronik (PEI) nga komisionerët. “Lutemi të shikoni me kujdes që komisionerët e PS mos të bëjnë fotot e pajisjes PEI. Ndalojini pasi lidhen me KQZ për të parë kush ka votuar!”, shkruan qytetari, duke ngritur dyshime për abuzim me të dhënat zgjedhore.
Partia Demokratike ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe institucionet ligjzbatuese për të hetuar rastin dhe për të garantuar mbarëvajtjen e zgjedhjeve.