Lajme

PD–ASHM kundër rritjes së taksave: “Goditje e padrejtë për bizneset e vogla në Tiranë”

Zëdhënësja e Presidentit të Partisë së Lirisë, Jasmira Memelli, ka reaguar ashpër ndaj vendimit për vendosjen e taksave të reja dhe rishikimin e detyrimeve për bizneset e vogla dhe të mesme në Tiranë, duke e quajtur këtë veprim një “kaos të vërtetë” që po dëmton ekonominë vendase.

Në një deklaratë për mediat, Memelli tha se rritja e befasishme e taksave ka krijuar pasiguri ligjore dhe ka vështirësuar funksionimin normal të bizneseve, të cilat tashmë përballen me rritje të kostove operative dhe mungesë mbështetjeje.

“Në vend që të nxisë rritjen e aktivitetit ekonomik dhe punësimin, qeveria zgjedh të rëndojë më tej barrën fiskale mbi sipërmarrjen, pa ofruar as transparencë mbi përdorimin e fondeve dhe as përmirësime konkrete në shërbime,” deklaroi ajo.

Sipas saj, shumë biznese në Tiranë po përballen me rishikime të papritura të detyrimeve tatimore, duke rritur ndjeshëm pasiguritë për të ardhmen e tyre.

Koalicioni “PD–Aleanca për Shqipërinë Madhështore” ka denoncuar vendimin si të pajustifikuar dhe ka paraqitur një alternativë të qartë për biznesin, përmes një programi që parashikon:

Ulje të taksave për bizneset e vogla dhe të mesme

Politika stimuluese për sektorët strategjikë të ekonomisë

Thjeshtim të procedurave tatimore dhe garantim të stabilitetit fiskal

Fuqizim të shtetit ligjor për të luftuar evazionin, jo për të ndëshkuar të ndershmit

“Ne jemi në krah të çdo sipërmarrësi që kontribuon me ndershmëri në ekonomi dhe refuzojmë çdo vendim që e trajton biznesin si mjet për mbushjen e boshllëqeve buxhetore,” theksoi Memelli.

Koalicioni PD–ASHM bën thirrje për një ndryshim rrënjësor në drejtimin e vendit dhe u bën apel qytetarëve që më 11 maj të votojnë për një alternativë që, sipas tyre, garanton mirëqenie dhe një jetë dinjitoze.

“Më 11 Maj, votojmë Nr.1 – PD–Aleanca për Shqipërinë Madhështore. Votojmë Ilir Metaj për qarkun Tiranë,” përfundon deklarata.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button