PD-ASHM kërkon ndërhyrje urgjente të KQZ-së për procesin e votimit të diasporës në Greqi: “Rrezikohet integriteti i zgjedhjeve”

Partia Demokratike dhe Aleanca për Shqipërinë Madhështore i kanë drejtuar një kërkesë urgjente Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, duke denoncuar probleme serioze në mënyrën e administrimit të votave të diasporës shqiptare në Greqi, për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
Në kërkesën zyrtare të firmosur nga përfaqësuesi ligjor i koalicionit PD-ASHM, Franci Nuri, theksohet se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndryshuar papritur procedurat për dorëzimin dhe grumbullimin e zarfeve me vota. Fillimisht, sipas tyre, ishte garantuar shpërndarja e zarfeve në adresën personale të çdo votuesi, ndërsa tashmë kërkohet që qytetarët të paraqiten fizikisht në pikat e DHL-së për t’i tërhequr apo dorëzuar ato.
PD-ASHM e konsideron këtë ndryshim të njëanshëm si shkelje të rregullave të përcaktuara më parë nga vetë KQZ-ja dhe si një rrezik serioz për integritetin, transparencën dhe ligjshmërinë e procesit.
“Kemi sinjalizuar raste të përvetësimit të zarfeve nga persona të caktuar që lëvizin me makina me targa shqiptare dhe që dyshohet se janë të lidhur me strukturat e Partisë Socialiste,” thuhet në kërkesë, ndërsa ngrihen dyshime për tentativa manipulimi dhe ndërhyrje të paligjshme në votën e diasporës.
Për më tepër, Franci Nuri thekson se vetëm një javë para ditës së zgjedhjeve, janë raportuar mbi 6 mijë zarfe të ardhura nga Greqia në Tiranë në një ditë të vetme, ndërkohë që për javë të tëra numri ishte vetëm 17,700. Sipas tij, ky fluks i pazakontë përforcon dyshimet për manipulime të mundshme.
Koalicioni opozitar e konsideron situatën alarmante dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga KQZ për të rikthyer ligjshmërinë dhe për të garantuar rregullshmëri, siguri dhe besueshmëri në administrimin e votës së qytetarëve shqiptarë që ndodhen në shtetin grek.