Lajme

Partia e Lirisë denoncon manipulimin e votës së diasporës: “Qeveria po mashtron dhe hesht zërin e lirë jashtë vendit”

Zëdhënësja e Fushatës së Partisë së Lirisë, Arla Merja, ka reaguar me tone të ashpra ndaj asaj që ajo e cilëson si një proces të manipuluar të votimit të diasporës shqiptare. Në një deklaratë për mediat, Merja denoncoi parregullsitë në organizimin e këtij procesi, duke e quajtur atë një “farsë” që ka për qëllim të përjashtojë zërat kritikë ndaj qeverisë aktuale.

Sipas saj, pavarësisht premtimeve për mundësimin e votës për shqiptarët jashtë vendit, qeveria ka krijuar barriera dhe pengesa të qëllimshme për të kufizuar këtë të drejtë. “Shqiptarëve jashtë vendit po u cënohet e drejta themelore për të votuar. Procesi është i manipuluar dhe i ndërtuar për të përjashtuar ata që nuk i binden regjimit,” tha Merja.

Ajo kërkoi ndërhyrje të menjëhershme për të garantuar transparencën dhe legalitetin e votës së diasporës, duke theksuar nevojën për transportimin e votave nëpërmjet DHL-së brenda afateve ligjore, si dhe për korrigjimin e listave të votuesve, pasi janë evidentuar raste ku votues të diasporës figurojnë në njësi të ndryshme zgjedhore në Tiranë.

Në përfundim të deklaratës, Merja iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të mos frikësohen nga propaganda apo shantazhet. “Demokracia nuk jepet dhuratë, ajo kërkon guxim dhe bashkim,” u shpreh ajo, duke theksuar se zëri i diasporës “do të dëgjohet, me çdo kusht”.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button