“Parlamenti i Sipërmarrësve” – Premtimi më i sinqertë i Kryeministrit?

Nëse ka një institucion që ka funksionuar realisht gjatë qeverisjeve socialiste në Shqipëri, ai është “Parlamenti i Sipërmarrësve”. Edhe pse de facto dhe jo de jure, një grup i vogël sipërmarrësish të fuqishëm – vendas e të huaj – kanë përcaktuar prioritetet infrastrukturore, financiare dhe politike të vendit.
Janë ata që kanë shtyrë shtatë herë ligjin për investimet strategjike, kanë vendosur që toka në bregdet t’i merret pronarit dhe t’i jepet investitorit me ligj. Pa garë, ata kanë përfituar koncesione për porte, aeroporte, marina, rrugë dhe miniera. Janë përfituesit kryesorë të fondeve IPARD dhe të garancive sovrane. Madje përpiqen të ndikojnë edhe në nivelin e tarifave për importin e lavatriceve apo televizorëve të përdorur.
Kryeministri ka qenë, në këtë skemë, vetëm zbatuesi i planeve të tyre, ndërsa Kuvendi – noterizuesi i interesave të tyre.
Tani, duket se ka ardhur koha që ky “parlament” të legalizohet. Në një nga deklaratat më të sinqerta të tij, kryeministri pranon: “Duhet t’i njohim vendimmarrësit e vërtetë të këtij vendi.”