
Në ambientet e Parlamentit Evropian u shfaq dokumentari “Kthimi në Kosovë”, i cili trajton historinë e masakrës në Obrinë e Epërme, e kryer nga forcat serbe më 26 shtator 1998. Ngjarja u ndoq nga një numër ambasadorësh, deputetësh të Parlamentit Evropian dhe zyrtarësh të institucioneve të Bashkimit Evropian.
Dokumentari u organizua nga Ambasada e Kosovës në Bruksel, me mbështetjen e eurodeputetëve Lukas Mandl dhe Adnan Dibrani. Në fjalën e tij hapëse, eurodeputeti Adnan Dibrani u shpreh i prekur nga fakti që filmi u shfaq para një audience evropiane. “Ky film dokumenton një nga krimet e shumta monstruoze të Serbisë në Kosovë, por edhe flet për mbijetesën e popullit shqiptar dhe të vet Kosovës”, tha Dibrani.
Ndërkaq, ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, falënderoi organizatorët dhe theksoi rëndësinë e dokumentarit. Ai e përshkroi filmin si një rrëfim për Besnik Deliun dhe masakrën në Obrinë, duke theksuar se kjo ngjarje ishte pjesë e një fushate sistematike dhune dhe terrori të ushtruar nga Serbia ndaj popullit të Kosovës. “Këto krime – të dokumentuara, të dëshmuara, të pamohueshme – përbëjnë themelin e vetë pavarësisë së Kosovës së sotme”, shtoi Bajrami.
Dokumentari synon të ruajë kujtesën historike dhe të ndërgjegjësojë komunitetin ndërkombëtar për vuajtjet dhe rezistencën e shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë.



