Parashikimi i motit për fundjavë dhe fillim jave

Fundjava do të karakterizohet me mot të ndryshueshëm në vend.
Të shtunën parashihet mot pjesërisht me diell, me vranësira herë pas here, kryesisht mbi zonat malore, ku nuk përjashtohet mundësia për ndonjë rigë shiu të izoluar. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga veriu, me shpejtësi 5 deri 10 metra në sekondë. Temperaturat maksimale do të shënojnë rënie, duke u luhatur nga 24 deri në 27 gradë Celsius, ndërsa minimalet do të jenë mes 13 dhe 16 gradë Celsius.
E diela do të sjellë mot kryesisht me diell, me temperatura më të ulëta krahasuar me ditët e mëparshme. Maksimalet pritet të arrijnë deri në 24–26 gradë Celsius, kurse minimalet do të zbresin në rreth 10 gradë Celsius.
Në ditët e para të javës së ardhshme parashihet stabilizim i motit dhe më shumë intervale me diell. Të hënën do të ketë kalime vranësirash, të cilat pasdite mund të sjellin rrebeshe shiu në zonat malore. Nga mesi i javës temperaturat do të jenë në rritje të ndjeshme, duke arritur të mërkurën deri në 30–33 gradë Celsius. Era do të fryjë kryesisht nga veriu, me intensitet të lehtë deri mesatar, 4–11 metra në sekondë.