Parashikimi i motit: Nxehtë deri të premten, fundjava sjell rënie temperaturash dhe reshje lokale

Mbi vendin tonë ditën e mërkurë do të mbizotërojë mot kryesisht me diell dhe më i nxehtë. Temperaturat minimale do të luhaten nga 12°C deri në 15°C, ndërsa ato maksimale do të arrijnë nga 31°C deri në 33°C. Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare nga jugperëndimi me shpejtësi prej 3-7 m/s.
E enjtja do të sjellë mot edhe më të nxehtë, me temperatura maksimale që pritet të arrijnë nga 33°C deri në 35°C.
Ndërsa ditën e premte parashihet rënie e lehtë e temperaturave, me maksimale deri në 29°C. Në atmosferë do të ketë më shumë vransira, të cilat lokalisht mund të shoqërohen me ndonjë rigë shiu apo rrebesh, sidomos në pjesën perëndimore të vendit.
Fundjava sjell ndryshim më të theksuar të motit. Të shtunën parashikohen kushte për rrebeshe lokale shiu, ndërsa temperaturat maksimale do të zbresin në 25-26°C. Të dielën në mëngjes minimalet do të ulen deri në 10°C, duke sjellë freski të ndjeshme krahasuar me ditët e nxehta të javës.
Gjithashtu, ditën e enjte dhe të premte pritet të fryjnë erëra të fuqishme jugperëndimore me hove deri në 20 m/s (70 km/h). Nga e shtuna, erërat ndryshojnë drejtim në veriore, me intensitet të lehtë dhe mesatar prej 4-10 m/s.