Parandalohet tentativë për futje të sendeve të ndaluara në Dubravë

Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka parandaluar një tjetër tentativë për futjen e kontrabandës në Qendrën Korrektuese të Dubravës.
Përmes një njoftimi zyrtar, SHKK bën të ditur se pas pranimit të informacioneve proaktive dhe një organizimi të mirëfilltë operacional, është realizuar një bastisje e menjëhershme në zonën sterile të këtij institucioni. Aksioni është ndërmarrë në bashkëpunim me Njësinë e Inteligjencës së SHKK-së dhe Departamentin për Siguri të QK Dubravë.
Gjatë kontrollit janë zbuluar pesë qese të zeza të mbështjella me izolir të tejdukshëm, brenda të cilave janë gjetur:
98 gramë lëndë e dyshuar narkotike, e ndarë në disa njësi,
Pesë telefona të markës Samsung, njëri prej të cilëve me SIM kartelë të vendosur të operatorit IPKO, si dhe dy SIM kartela të papërdorura.
SHKK thekson se ky operacion është dëshmi e përkushtimit të saj për të parandaluar futjen e materialeve të ndaluara brenda institucioneve korrektuese dhe për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të kontrolluar.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës do të vazhdojë me vendosmëri zbatimin e masave të rrepta të kontrollit, me qëllim parandalimin e çdo tentative për futje të paligjshme të materialeve të ndaluara”, thuhet në fund të njoftimit.