Pallatet e rindërtimit në Krujë, një vit pas inagurimit nga Rama, vijojnë të jenë bosh

Një vit pas ceremonisë së bujshme të inagurimit dhe dorëzimit të çelësave nga kryeministri Edi Rama dhe zëvendësja e tij, Belinda Balluku, pallatet e ndërtuara në Krujë në kuadër të procesit të Rindërtimit vijojnë të jenë të boshatisura.
Më 27 maj 2024, Rama publikoi një video propagandistike ku shfaqej duke përshëndetur banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe duke shpallur përmbushjen e “një premtimi të mbajtur”. Ai madje këshilloi Bashkinë e Krujës që të mbillte pemë për të përmirësuar estetikën e kompleksit të sapondërtuar.
Por, realiteti në terren tregon një pamje krejt tjetër. Sipas një vëzhgimi të “BoldNews.al”, pallatet janë bosh dhe të pabanueshme. Ndërtesat janë lyer nga jashtë, por mungojnë elementët bazë si dyert, kanalizimet dhe sistemet e ujësjellësit. Banorët lokalë i quajnë “kasolle prej tulle”.
Behari, 63 vjeç, një banor i hershëm i zonës, tha për “BoldNews.al” se ai e kishte besuar premtimin e kryeministrit, por tashmë ndihet i zhgënjyer. “Nuk ka kush jeton aty, nuk ka as dyer, as tubacione. Nuk mund të jetosh në një vend të tillë,” u shpreh ai.
Edhe Astriti, 53 vjeç, pronar i një lokali pranë kompleksit, shprehet i pezmatuar: “Erdhi, bëri qyfyre, dha çelësa dhe iku. Askush nuk ka hyrë në ato banesa.”
Nga tërmeti i vitit 2019, në Krujë mbetën pa strehë 336 familje. Ndërkohë, 8 pallatet e ndërtuara janë projektuar për të strehuar rreth 250 familje dhe janë financuar me dhjetëra miliona euro nga buxheti i shtetit.
Situata në Krujë nuk është një rast i izoluar. Skenarë të ngjashëm janë regjistruar edhe në Kurbin, Durrës, Tiranë, Kombinat dhe zonën e “5 Majit”, ku pallatet janë ende bosh ose në ndërtim, ndërsa mijëra familje vazhdojnë të jetojnë në kushte të pasigurta ose me qira.
Pavarësisht deklaratave të përsëritura nga qeveria për përfundimin e Rindërtimit, faktet në terren dëshmojnë për një realitet të hidhur që ngre pikëpyetje të mëdha mbi transparencën, cilësinë dhe efikasitetin e këtij procesi.