Pagat e drejtorëve në Zvicër rriten 18% në vit, ndërsa punonjësit mesatarisht vetëm 1.8%

Drejtorët ekzekutivë të kompanive më të mëdha zvicerane fituan mesatarisht 18 përqind më shumë në vitin 2024 krahasuar me një vit më parë, sipas një studimi të kryer nga sindikata Unia, raporton albinfo.ch.
Në të njëjtën periudhë, pagat mesatare në Zvicër u rritën vetëm me 1.8 përqind, duke theksuar një diferencë të madhe mes të ardhurave të larta të udhëheqësve të korporatave dhe punonjësve të zakonshëm.
Studimi zbuloi se drejtorët ekzekutivë të 39 kompanive më të mëdha të vendit – duke përfshirë Novartis, UBS, Roche dhe Nestlé – fituan mesatarisht 143 herë më shumë se punonjësit me pagat më të ulëta.
Shembujt janë tronditës: të ardhurat vjetore të drejtorit ekzekutiv të Novartis ishin 333 herë më të larta se paga më e ulët në kompani, ndërsa shefi i UBS fitoi 276 herë më shumë se punonjësi me pagën më të ulët.
Sindikalistët e Unia kritikuan këtë hendek të madh, duke e quajtur atë një “shkallë të paprecedent të pabarazisë brenda korporatave zvicerane”.



