OVL-UÇK paralajmëron protestë për nesër: “Gjykata Speciale po lëkund themelet e shtetit tonë”

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë mbajtur sot një konferencë për media, ku prezantuan detajet e protestës së paralajmëruar për nesër. Ato kërkuan pjesëmarrje masive të qytetarëve dhe kritikuan ashpër Gjykatën Speciale për, siç thanë, pranimin e provave nga institucionet serbe.
Përfaqësuesi i organizatave të dala nga lufta, Gazmend Syla, tha se janë ndërmarrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e protestës dhe se institucionet janë njoftuar për kohën dhe vendin e mbajtjes së saj.
“Kemi kërkuar lejen e Komunës së Prishtinës, është njoftuar Policia e Kosovës, është angazhuar ambulanca në rast nevoje. I është dhënë mundësia kujtdo që dëshiron të marrë pjesë, të vijë edhe me autobus. Kemi komunikuar me parkingun Prishtina. Tani mbetet vetëm të nisë protesta nesër,” deklaroi Syla.
Protesta do të nisë nesër në orën 17:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Mes folësve të paralajmëruar janë profesoresha universitare Nevenka, Hysni Gucati, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, një bashkëluftëtar dhe një familjar i një dëshmori.
Syla theksoi se qëllimi i protestës është të dërgohet një mesazh i qartë te bashkësia ndërkombëtare se bashkëluftëtarët e UÇK-së nuk janë të vetëm.
“Do jemi gjithmonë të gatshëm t’i dalim në mbështetje bashkëluftëtarëve tanë,” tha ai, duke nënvizuar se Organizata e Veteranëve të Luftës ka zhvilluar më herët edhe fushatë diplomatike në arenën ndërkombëtare, por tani po kalon në fazën e protestave publike.
Ai kritikoi ashpër pranimin e provave nga institucionet shtetërore serbe në Gjykatën Speciale, duke e cilësuar këtë si një tentim për të rishkruar historinë e Kosovës dhe për të legjitimuar struktura që janë dënuar për krime lufte.
“Është e papranueshme që Gjykata Speciale ka pranuar dëshmi nga tri institucione shtetërore serbe, krerët e të cilave janë dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi. Kjo është një lëkundje e themeleve të shtetit tonë dhe motiv shtesë për të protestuar,” theksoi Syla.
Ai paralajmëroi se në mungesë të reagimit ndërkombëtar, protestat do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.