OVL-UÇK paralajmëron protestë më 7 gusht kundër Gjykatës Speciale

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste paqësore më 7 gusht, kundër Dhomave të Specializuara në Hagë, të njohura si Gjykata Speciale.
Ky njoftim u bë gjatë një konference për media të mbajtur të hënën, ku udhëheqësit e organizatës shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj asaj që e cilësuan si trajtim të padrejtë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po përballen me procese gjyqësore në Hagë.
“Gjykata Speciale po shërben si mekanizëm për njollosjen e luftës sonë të drejtë dhe përbaltjen e figurave kryesore të saj”, u tha gjatë konferencës, duke e akuzuar këtë institucion për njëanshmëri dhe përpjekje për të deformuar luftën çlirimtare të UÇK-së.
Sipas OVL-UÇK-së, protesta e paralajmëruar ka për qëllim të ngrejë zërin kundër padrejtësive që, sipas tyre, po i bëhen luftëtarëve të lirisë. Organizata ftoi qytetarët dhe të gjithë ish-ushtarët e UÇK-së që t’i bashkohen protestës si shenjë solidariteti dhe mbështetjeje për të akuzuarit në Hagë.