OVL-UÇK kërkon riverifikim të listës së veteranëve: Në pritje të komisionit nga Qeveria

Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së janë shprehur të gatshme të bashkëpunojnë në procesin e riverifikimit të listës së veteranëve, në përputhje me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, që obligon Qeverinë e Kosovës të formojë një komision të ri për këtë qëllim.
Xhavit Jashari nga Organizata e Veteranëve të Luftës deklaroi për RTK se verifikimi më i drejtë mund të bëhet vetëm nga komandantët e zonave dhe zinxhiri komandues, e jo nga persona që nuk kanë njohuri për zhvillimet në terren gjatë luftës.
“Drejtësia duhet të argumentojë qartë ku janë bërë shkeljet nga komisioni qendror. As Agim Çeku nuk ka pasur mundësi të njohë ushtarët në tërë territorin. Vetëm komandantët e zonave mund të bëjnë verifikimin legjitim të këtyre kategorive,” theksoi Jashari.
Gjykata Themelore në Prishtinë, në rigjykimin e fundit, shpalli fajtorë dhjetë persona të përfshirë në rastin “Veteranët”, duke i dënuar me nga një vit burgim. Dënimi ka rihapur debatin për numrin e fryrë të veteranëve, për çka është paraparë të bëhet riverifikimi i rreth 19,500 emrave që dyshohet se nuk e plotësojnë statusin.
Shkumbin Krasniqi, emri i të cilit figuron në listën e veteranëve, mirëpret procesin e verifikimit dhe e sheh atë si domosdoshmëri. “Ka pasur abuzim politik me shifrat. Mendoj se më shumë se 25 mijë janë veteranë të pavërtetë. Numri real nuk mund të jetë më shumë se 17 mijë,” u shpreh ai.
Ndërkohë, Frashër Oseku, duke komentuar dënimet ndaj komandantëve, ka theksuar se heshtja në këtë rast është bashkëfajësi. “Drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë, edhe për ata me grada.”
RTK ka kontaktuar Qeverinë e Kosovës për të pyetur nëse kanë nisur procedurat për themelimin e komisionit të verifikimit, por deri në fund të ditës nuk ka marrë përgjigje.
Procesi i riverifikimit të veteranëve pritet të jetë ndër më të ndjeshmit dhe më të diskutuarit në muajt në vijim.