OVL, SHIL dhe SHFD reagojnë pas rrëzimit të mocionit nga Specialja: Gjykata po rrezikon të bëhet mjet për rishkrimin e historisë

Organizata e Veteranëve të Luftës (OVL), Shoqata e Invalidëve të Luftës (SHIL) dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve (SHFD) kanë reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara për të rrëzuar mocionin e paraqitur nga mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së. Ata e kanë cilësuar këtë vendim si zhgënjyes dhe shqetësues për drejtësinë, duke ngritur alarmin për rrezikun që kjo gjykatë të përdoret si mjet për rishkrimin e historisë, dhe jo si garanci për drejtësi të paanshme.
“Në rastin kur fakte, dëshmi dhe shkelje procedurale injorohen pa një shqyrtim të drejtë, krijohet përshtypja e një procesi të njëanshëm dhe të politizuar,” thuhet në reagimin e përbashkët të këtyre organizatave, të cilat përfaqësojnë strukturat e dala nga lufta.
Organizatat theksojnë se qëndrueshmëria e tyre nuk do të ndalet dhe se drejtuesit e UÇK-së nuk kërkojnë mëshirë, por një gjykim të drejtë dhe të bazuar në të vërtetën historike të luftës për liri.
“Gjykata nuk mund të mbyllë sytë para realitetit që e njeh bota: UÇK-ja ishte forcë çlirimtare,” thuhet në reagim.
Në fund, OVL, SHIL dhe SHFD u bëjnë thirrje opinionit publik dhe komunitetit ndërkombëtar që të mos bien pre e, siç e quajnë ata, një “narrative të shtrembëruar”, duke theksuar se në emër të të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë e Kosovës, do të vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën dhe bashkëluftëtarët e tyre.