Kosova

OVL e UÇK-së reagon ashpër ndaj vendimit të Speciales për refuzimin e provave të mbrojtjes së Jakup Krasniqit

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, të cilat kanë refuzuar shumicën e provave të paraqitura nga mbrojtja e ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi.

Në një deklaratë për media, OVL e UÇK-së e ka cilësuar këtë vendim si të papranueshëm dhe thellësisht të padrejtë, duke theksuar se ai “përbën një dëshmi të qartë të qasjes së njëanshme të kësaj gjykate”.

“Kjo gjykatë po përpiqet ta paraqesë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës jashtë kontekstit të saj historik, duke mohuar krimet që sollën shkatërrim dhe gjenocid në vendin tonë,” thuhet në reagim.

Sipas OVL-së, shpallja si të “parëndësishme” e dëshmive që dokumentojnë masakrat dhe krimet serbe përbën mohim të së vërtetës historike dhe të dhimbjes së një populli që ka luftuar për liri.

“Kjo është një fyerje për drejtësinë dhe kujtesën historike të Kosovës,” vijon reagimi.

Organizata e Veteranëve ka theksuar gjithashtu se ky vendim është një arsye më shumë për të protestuar dhe për të ngritur zërin kundër padrejtësive që, sipas tyre, po u bëhen çlirimtarëve të Kosovës.

Çfarë përmbante kërkesa e mbrojtjes së Krasniqit

Mbrojtja e Jakup Krasniqit kishte kërkuar që Gjykata Speciale të pranonte si prova disa materiale që dokumentojnë krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. Sipas mbrojtjes, këto materiale kishin vlerë provuese në rastin kundër Krasniqit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.

Mirëpo, trupi gjykues i Dhomave të Specializuara vlerësoi se shumica e këtyre provave janë “jorelevante për akuzat kundër të akuzuarit”.

Në vendimin e gjykatës thuhet se mbrojtja “nuk ka arritur të vërtetojë se incidentet e përshkruara lidhen me ndonjë nga akuzat ose faktet në Aktakuzë”.

Një prej provave të refuzuara ishte një video e BBC-së për krimet serbe në Rahovec, të cilën gjykata e pranoi vetëm pjesërisht – duke konsideruar relevante vetëm minutazhin nga 17:39–20:15 dhe 34:25–38:00.

Ndërkohë, një tjetër provë që trajtonte marrëdhëniet midis UÇK-së dhe LDK-së, u refuzua me arsyetimin se “nuk është relevante për qëllimet e përbashkëta të pretenduara” dhe se lidhej kryesisht me krimet e forcave serbe, të cilat, sipas trupit gjykues, “janë jorelevante përveç nëse lidhen drejtpërdrejt me akuzat”.

Qëndrimi i mbrojtjes

Avokatët e Krasniqit argumentuan se provat e refuzuara dëshmonin mungesën e kontrollit efektiv të Krasniqit mbi individë të caktuar të UÇK-së, si dhe mungesën e dijenisë apo qëllimit për krime të kryera pas luftës.

Ata po ashtu theksuan se materialet përfshinin raporte ndërkombëtare dhe burime mediatike që dokumentojnë krimet serbe në Rahovec, Gjilan, Prizren e zona të tjera.

Sipas mbrojtjes, këto prova ishin thelbësore për të kundërshtuar pretendimet e aktakuzës lidhur me ekzistencën e një politike të supozuar kundër kundërshtarëve politikë dhe për të treguar kontekstin e luftës çlirimtare.

Megjithatë, trupi gjykues i Dhomave të Specializuara vendosi që provat nuk kanë rëndësi të drejtpërdrejtë për akuzat, duke i hedhur poshtë kërkesat e mbrojtjes.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button