OVL e UÇK-së mohon përfshirjen e Behar Preniqit në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka mohuar të ketë ndonjë evidencë që e lidh Behar Preniqin me UÇK-në, pas arrestimit të tij nga autoritetet serbe nën dyshimet për krime lufte.
Kryetari i OVL-së, Hysni Gucati, deklaroi për KosovaPress se Preniqi nuk gjendet në asnjë nga listat apo dosjet e arkivave të organizatës.
“Në dokumentacionet tona në organizatën e veteranëve, ai nuk është as anëtar, as nuk ka dosje. Te ne nuk ka dokumentacion që ai është veteran i UÇK-së. Më vjen keq, sepse ai është qytetar i Kosovës, por nuk figuron në evidenca”, tha Gucati.
Behar Preniqi u arrestua mbrëmë nga autoritetet serbe në pikën kufitare Bajakovo, ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë, me pretendimet se ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se ka kryer krime gjatë luftës.
Megjithatë, këto pretendime janë hedhur poshtë edhe nga familja e tij, e cila ka deklaruar se në kohën e luftës në Kosovë, Preniqi ishte vetëm 16 vjeç dhe i mitur.