Kosova

OVL e UÇK-së akuzon Vetëvendosjen për politizim të protestës në Tiranë, falënderon Ramën për mbështetjen

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së Lëvizjes Vetëvendosje, të lëshuar mbrëmë, duke e akuzuar këtë parti se po përpiqet të politizojë protestën e madhe që do të mbahet më 17 tetor në Tiranë.

“Deklarata e Lëvizjes Vetëvendosje, e lëshuar mbrëmë vonë, tregon qartë se kjo parti po përpiqet të politizojë dhe të zbehë qëllimin e protestës së madhe që do të mbahet në Tiranë”, thuhet në reagimin e OVL UÇK-së.

Kjo organizatë ka theksuar se protesta nuk është e asnjë partie politike, por “zëri i popullit shqiptar, i veteranëve, i familjeve të dëshmorëve dhe i gjithë atyre që nuk pajtohen me padrejtësinë që po u bëhet krerëve të UÇK-së në Hagë”.

“OVL UÇK nuk lejon dhe nuk do të lejojë që lufta e shenjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të përdoret për interesa partiake. Ne nuk kërkojmë retorikë politike, kërkojmë drejtësi për luftëtarët tanë dhe ndëshkim për krimet e Serbisë. Protesta e Tiranës është protestë e kombit, jo e partive”, thuhet më tej në reagim.

Sipas OVL-së, në protestë pritet të marrin pjesë mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet, për të dëshmuar se “UÇK-ja është nderi i kombit dhe s’ka gjykatë që mund ta njollosë atë”.

Në fund të reagimit, OVL UÇK ka falënderuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për mbështetjen ndaj kësaj kauze.
“Në të njëjtën kohë, OVL UÇK shpreh falënderim të sinqertë për Kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama, i cili është treguar zë i qartë dhe mbështetës i kësaj kauze të drejtë, si dhe për institucionet shqiptare që kanë dhënë mbështetje të plotë për mbarëvajtjen dhe organizimin e protestës në Tiranë”, përfundon reagimi.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button