
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është mjeshtër i propagandës dhe se Perëndimit po i shitet një imazh i rremë sikur ai qëndron mes dy karrigeve, ndërsa në të vërtetë ka zgjedhur karrigen e Rusisë.
“Vuçiqi ka përdorur propagandën si mjet kryesor me dekada. Kur Millosheviqi bënte luftëra në Kroaci, Bosnjë e Kosovë, ai e zgjodhi Vuçiqin ministër të propagandës. Nga e gjithë ish-Jugosllavia e zgjodhi atë, në kohë lufte. Propagandën e bën më së miri dhe e përdor për ta bindur Perëndimin se qëndron mes dy karrigeve. Por ai nuk është në mes, është në karrigen e Rusisë. Tjetra është vetëm aktrim”, tha Osmani në një intervistë për televizionin polak “TVP”.
Ajo theksoi se Vuçiqi po përdor propagandën jo vetëm në raport me ndërkombëtarët, por edhe kundër qytetarëve të vet.
E pyetur për situatën në Serbi me protestat masive, Osmani tha se Vuçiq shpesh kur përballet me telashe të brendshme, tenton të shkaktojë probleme në rajon.
“Kur është në telashe në vendin e tij, tenton të shkaktojë probleme në Bosnjë, Kosovë e pjesë tjera. Pastaj e përdor kartën nacionaliste për ta larguar vëmendjen. Por ne jemi të gatshëm ta mbrojmë vendin tonë dhe ta neutralizojmë çdo agresion që ai mund ta ketë në mendje”, u shpreh presidentja Osmani.