Osmani: Votimi “në pako” për nënkryetarët jo shumicë nuk është çështje kushtetuese

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar lidhur me ankesën e Listës Serbe në Gjykatën Kushtetuese, që konteston procedurën e zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit nga komunitetet jo shumicë. Lista Serbe kishte kërkuar që votimi të bëhej në pako, ashtu si për nënkryetarët e tjerë, ndërsa në praktikë ai u zhvillua ndaras.
Sot, Osmani ka dorëzuar në Kushtetuese komentet e saj mbi këtë rast, por gjatë një konference për media bëri të ditur se nuk e ka trajtuar çështjen e votimit në pako. Ajo e ka cilësuar këtë çështje si dytësore dhe nuk e sheh si të domosdoshme për t’u shqyrtuar nga Kushtetuta.
“Çështja parësore, kapitale, që sot e ka gjykata para vetës, është mbrojtja e republikës nga vetoja e një partie që përfaqëson komunitetin, por nuk e njeh këtë republikë dhe nuk i respekton ligjet. Votimi në pako nuk kërkohet me Kushtetutë,” tha Osmani.
Ekspertët e fushës kanë kritikuar procedimin ndaras të zgjedhjes së nënkryetarëve nga komunitetet jo shumicë, duke vlerësuar se edhe ata duhet të zgjidhen në pako, ashtu si të tjerët.