Osmani: Vonesat në krijimin e institucioneve dëmtojnë interesat e Kosovës

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me vonesat në krijimin e institucioneve të reja të Kosovës, duke theksuar se këto pengesa po ndikojnë negativisht në interesat e shtetit.
Në një prononcim për media, Osmani tha se formimi i qeverisë varet nga marrëveshjet mes partive politike, por theksoi se vonesat e shkaktuara nga Lista Serbe po dëmtojnë të gjithë qytetarët, përfshirë edhe komunitetin serb në Kosovë.
“Ka pasë vonesa të jashtëzakonshme në krijimin e institucioneve. Besoj që ky është një tentim tjetër për vonesa që e kanë dëmtuar interesin e Kosovës. Është në interes të Kosovës që të kemi qeveri me mandat të plotë”, tha Osmani.
Ajo shtoi se partitë politike duhet të japin llogari për ecurinë e bisedimeve për krijimin e koalicioneve, ndërsa theksoi se nuk mund të paragjykojë vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese lidhur me kërkesën e Listës Serbe.
“Vonesa që po tentohet të krijohet nga Lista Serbe i dëmton jo vetëm interesat e Kosovës, por edhe të gjithë qytetarëve, përfshirë serbët që jetojnë në vend”, tha presidentja Osmani.



