
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të enjten në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati. Gjatë këtij takimi, Osmani ka pranuar një letër nga Presidenti amerikan Donald Trump, të cilën e ka vlerësuar si një shenjë të miqësisë së vërtetë dhe të përkushtimit të vazhdueshëm të SHBA-ve ndaj Kosovës.
Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohje të thellë për përkrahjen e vazhdueshme të Presidentit Trump dhe për fjalët e fuqishme që pasqyrojnë partneritetin e fortë me Kosovën. Ajo ka rikonfirmuar përkushtimin e saj për të punuar ngushtë me administratën amerikane në thellimin e aleancës dhe në avancimin e objektivave të përbashkëta strategjike.
Ndër temat e diskutimit ishte edhe lajmi i dhënë javën e kaluar nga Zëvendëssekretari amerikan, Christopher Landau, për vazhdimin e programit të Kompaktit të MCC-së në Kosovë. Osmani e ka cilësuar këtë si një hap domethënës për zhvillimin afatgjatë të sektorit të energjisë dhe për integrimin e Kosovës në peizazhin digjital global.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani dhe znj. Prattipati kanë diskutuar edhe për zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë çështjen e konstituimit të Kuvendit dhe hapat e pritshëm institucionalë. Të dyja palët janë dakorduar për vazhdimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, duke theksuar rëndësinë e koordinimit të ngushtë mes Kosovës dhe SHBA-ve.