Osmani takon Kaja Kallasin në Nju Jork, kërkon heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në Nju Jork është takuar me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.
Në qendër të diskutimeve ishin zhvillimet e fundit në Kosovë dhe më gjerë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Osmani theksoi se integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian mbetet një ndër prioritetet kryesore të agjendës shtetërore.
Ajo ritheksoi edhe kërkesën për heqjen e masave të vendosura nga BE ndaj Kosovës, duke i cilësuar ato si të padrejta dhe të dëmshme për qytetarët.
“Integrimi i Kosovës në BE mbetet ndër prioritetet tona kryesore shtetërore. Në këtë frymë, ritheksova domosdoshmërinë e heqjes së masave të padrejta të BE-së ndaj Kosovës, të cilat po i dëmtojnë të gjithë qytetarët tanë, pa përjashtim”, ka shkruar Osmani.
Ajo shtoi se Kosova është e përkushtuar për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon.



