Osmani shmang pyetjet për ndërhyrjen serbe, Kurti akuzon Beogradin për zgjedhjet lokale

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk ka pranuar të komentojë për gazetarët lidhur me ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Megjithatë, ajo u shpreh shkurtimisht kur u pyet për këtë temë:
“A e prishni ditën me fëmijë me tema të Vuçiqit?”
Ndërkohë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka akuzuar shtetin serb për ndërhyrje të përsëritur në procesin zgjedhor në Kosovë, duke krahasuar situatën me ndërhyrjet ruse në zgjedhjet evropiane.
Sipas Kurtit, Serbia përdor premtime për vende pune, mbështetje financiare, kushtëzim dhe shantazh me përfitime sociale, si dhe deklarata të zyrtarëve serbë që favorizojnë vetëm Listën Serbe, për të ndikuar në zgjedhje. Ai shtoi se këto ndërhyrje janë më serioze se ato të Rusisë në Evropë, duke u bazuar edhe në raportin e misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të BE-së më 9 shkurt 2025, që kishte evidentuar ndërhyrje serbe në zgjedhjet parlamentare të Kosovës.
Kurti tha se BE-ja nuk ka marrë asnjë masë ndaj Serbisë, prandaj Beogradi vazhdon ndërhyrjet në procesin zgjedhor të Kosovës.



