Kosova
Kryesore

Vjosa Osmani: Të ndalet vuajtja e fëmijëve dhe civilëve në Gaza

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër ndaj situatës së rëndë humanitare në Rripin e Gazës, duke vënë theksin te vuajtjet e fëmijëve dhe civilëve të pafajshëm që po mbajnë barrën më të rëndë të konfliktit.

“Fëmijët nuk fillojnë kurrë luftëra! Por ata janë ata që vuajnë më shumë dhe mbajnë pasojat më të mëdha të çdo konflikti,” theksoi Osmani, duke e cilësuar situatën në Gaza si “zemërthyese” dhe duke bërë thirrje për t’i dhënë fund kësaj katastrofe humanitare.

Presidentja Osmani shprehu mbështetjen e plotë të Kosovës për përpjekjet për armëpushim të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Katari dhe Egjipti, si dhe për lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve.

“Sigurimi i aksesit në ushqim, ujë dhe ilaçe për më të prekshmit duhet të mbetet një përparësi kryesore,” shtoi ajo, duke nënvizuar nevojën për ndihmë të menjëhershme për të lehtësuar vuajtjet e civilëve të pafajshëm.

Osmani përsëriti se Kosova mbështet fuqishëm përpjekjet ndërkombëtare për një të ardhme të drejtë, të qëndrueshme dhe paqësore në rajon. “Izraelitët dhe palestinezët meritojnë të jetojnë me dinjitet, siguri dhe respekt të ndërsjellë. Derisa kjo të realizohet, duhet bërë çdo përpjekje për të parandaluar humbjen e mëtejshme të jetëve të pafajshme,” përfundoi Osmani.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button