Osmani pret Peter Sørensen: Kërkon heqjen e masave nga BE dhe ndaljen e arrestimeve nga Serbia

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen.
Gjatë takimit, Osmani ka theksuar nevojën për avancimin e procesit të integrimit evropian të Kosovës, duke kërkuar gjithashtu largimin e masave të vendosura nga BE ndaj Kosovës, të cilat, sipas saj, po e godasin drejtpërdrejt qytetarin e zakonshëm.
Në komunikatën e lëshuar nga Presidenca thuhet se një ndër temat e diskutuara ishte edhe bllokada institucionale që po e pengon konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Osmani ka theksuar rëndësinë e funksionimit demokratik të institucioneve për të shtyrë përpara objektivat shtetërore dhe reformat.
Një tjetër çështje e ngritur nga presidentja ishte ajo e arrestimeve arbitrare të qytetarëve të Kosovës nga ana e Serbisë. Ajo ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të ushtrojë trysni mbi Serbinë për të ndalur, siç i quajti ajo, “veprimet e paligjshme ndaj qytetarëve kosovarë”.
Presidentja Osmani ka theksuar gjithashtu përkushtimin e Kosovës ndaj rrugës evropiane dhe reformave demokratike, duke kërkuar nga BE që këto përpjekje të shpërblehen me hapa konkretë. Ajo nënvizoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, veçanërisht në Këshillin e Evropës.
Sa i përket dialogut me Serbinë, Osmani kërkoi që procesi të jetë i drejtë, i paanshëm dhe me objektiva të qarta, që do të kontribuonin në paqen dhe stabilitetin rajonal. Ajo falënderoi përfaqësuesin Sørensen për angazhimin e tij në promovimin e një dialogu të barabartë dhe parimor.