Sport

Osmani dekoron presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino – Ademi: Një nder për gjithë futbollin kosovar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, do ta dekorojë të mërkurën presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, në një ceremoni solemne që do të mbahet në ora 13:00 në Hotel “Emerald” në Prishtinë.

Lajmin e ka bërë të ditur “Gazeta Express”, ndërsa paraprakisht kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka falënderuar presidenten Osmani për këtë vlerësim të veçantë ndaj numrit një të futbollit botëror.

Në një postim në rrjetet sociale, Ademi ka shprehur mirënjohjen e tij në emër të FFK-së dhe të gjithë komunitetit të futbollit kosovar:

“Në emër të Federatës së Futbollit të Kosovës, të komunitetit të futbollit dhe të gjithë dashamirëve të këtij sporti, dëshiroj të ju shpreh mirënjohjen më të thellë për vlerësimin dhe nderin që do t’i bëni Presidentit të FIFA-s, mikut të madh të Kosovës, Gianni Infantino, me dekorimin e tij gjatë vizitës së tij të dytë në Kosovë.”

Ademi theksoi se ky akt është dëshmi e respektit që Republika e Kosovës ka për kontributin e Infantinos në zhvillimin e futbollit vendor dhe afirmimin e vendit në arenën ndërkombëtare.

Ai kujtoi gjithashtu se Infantino, në Kongresin e tij të parë si president i FIFA-s në vitin 2016, shpalli Kosovën anëtare të barabartë të organizatës botërore të futbollit – një moment historik për shtetin e ri.

“Ky vendim i juaji, znj. Presidente, forcon edhe më shumë partneritetin mes institucioneve shtetërore dhe atyre sportive, duke dëshmuar se futbolli është një urë që bashkon njerëzit, gjeneratat dhe kombet”, shkroi Ademi, duke falënderuar Osmanin për mbështetjen e vazhdueshme ndaj sportit.

Vizita e Gianni Infantinos në Kosovë do të jetë e dyta e tij, dhe pritet të përfshijë takime me drejtues të institucioneve dhe të FFK-së, si dhe aktivitete të tjera të lidhura me zhvillimin e futbollit në vend.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button