Osimhen realizon dygolësh, Galatasaray fiton Kupën e Turqisë

Në pritje të kurorëzimit në Super Lig, Galatasaray ka siguruar trofeun e parë sezonal duke fituar Kupën e Turqisë, pasi mposhti Trabzonsporin me rezultatin bindës 3-0 në finalen e zhvilluar mes tensionit dhe përplasjesh të forta fizike.
Ndeshja u zhbllokua shumë shpejt, që në minutën e 5-të, kur Yilmaz realizoi një gol të bukur me një goditje të saktë në këndin e poshtëm. Në pjesën e dytë, protagonist u bë Victor Osimhen, i huazuar nga Napoli, i cili shënoi dy herë: fillimisht në minutën e 46-të me një goditje të fuqishme në shtyllën e parë dhe më pas në të 63-ën për rezultatin përfundimtar 3-0.
Edhe pse Dries Mertens, një tjetër emër i njohur për Serinë A, u aktivizua për vetëm 20 minuta pa ndikuar drejtpërdrejt në golat, festa e Galatasarayt ishte e plotë – ky ishte trofeu i 19-të i Kupës së Turqisë në historinë e klubit.
Tani, skuadra e drejtuar nga Okan Buruk është vetëm një hap larg edhe titullit kampion, pasi ka tetë pikë avantazh ndaj ndjekësve më të afërt, me vetëm tri javë të mbetura. Festa e dyfishtë mund të vijë që të dielën, përpara tifozëve të vet.