OSHP në Kosovë nxjerr vendim të kundërligjshëm duke favorizuar një operator ekonomik dhe duke rrezikuar shëndetin publik

OSHP-ja detyron Komunën e Shtimes për zbatimin e një vendimi të kundërligjshëm, nën kërcnimin e heqjes së licencës
AVONET shpreh shqetësim të thellë për vendimin e Organi Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), me numër 2025/0016, të datës 1 prill 2025, lidhur me aktivitetin e prokurimit të shërbimeve shëndetësore dhe sociale në Komunën e Shtimes me numër prokurimi 617-24-12907-2-1-1. Në këtë aktivitet të prokurimit, Komuna e Shtimes duke respektuar dispozitat ligjore në fuqi ka vendosur në dosjen e tenderit kritere, të cila janë të kërkuara ligjërisht, në mesin e tyre edhe licenca e nivelit nacional për ofrimin e shërbimeve sociale.
Megjithatë, pas një ankese nga një operator ekonomik, OSHP ka nxjerrur një vendim me të cilin e udhëzon Komunën e Shtimes që të mos kërkojë licencë të nivelit nacional, edhe pse e njëjta është e domosdoshme sipas ligjit, në rastet kur operatori ekonomik synon të ushtrojë veprimtari në më shumë se dy komuna.
Sipas legjislacionit në fuqi, si dhe sipas interpretimin zyrtar të dhënë nga Ministria e Drejtësisë, AVONET konsideron se vendimi i OSHP-së është në kundërshtim me ligjin dhe rrezikon seriozisht shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve të Komunës së Shtimes.
AVONET vlerëson se ky vendim i OSHP-së është jo vetëm i pabazuar ligjërisht, por edhe krijon hapësirë për zbatimin e një kontrate në kundërshtim me normat ligjore në fuqi. AVONET njofton se përmes këtij vendimi, OSHP jo vetëm që po diskrediton vlerën e licencimit ligjor, por gjithashtu po krijon rrezik real që një operator pa licencë adekuate të fitojë një kontratë shumëvjeçare dhe të ofrojë shërbime për të cilat ligjërisht nuk është i autorizuar të i ofrojë. Një veprim i tillë përbën shkelje serioze të ligjit, duke i shkaktuar dëm interesit publik dhe duke vendosur në rrezik shëndetin e qytetarëve të Komunës së Shtimes.
Për më tepër, shprehim dyshime të arsyeshme për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga ana e Panelit Shqyrtues të OSHP-së, për faktin se vendimi i marrë është jo vetëm i kundërligjshëm por edhe i pazbatueshëm në praktikë, duke prodhuar pasoja të rënda për komunën dhe për vetë qytetarët e Komunë së Shtimes.
Duke pasur parasysh situatën e krijuar, AVONET i bën thirrje OSHP-së që brenda afatit prej 3 (tre) ditësh të rishqyrtojë vendimin e saj, dhe të ndërmarrë veprimet e nevojshme për ndryshimin e tij në përputhje me ligjin dhe interpretimin zyrtar të Ministrisë së Drejtësisë.
AVONET do të vazhdojë të monitorojë me vëmendje zhvillimet rreth këtij aktiviteti të prokurimit dhe do të përdorë të gjitha mjetet ligjore e demokratike për të parandaluar cenimin e të drejtave të qytetarëve dhe për të garantuar zbatimin e ligjit në Republikën e Kosovës. /Kosova.info/