OSBE mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mbështetur RTK-në

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka mirëpritur vendimin e Qeverisë në detyrë për të miratuar, në parim, një kredi të përkohshme për Radio Televizionin e Kosovës (RTK). Ky vendim vjen pas situatës së vështirë financiare në RTK, ku punëtorët kanë mbetur pa paga.
Në reagimin e saj, OSBE-ja thekson se RTK ka një rol jetësor si transmetues publik, duke mundësuar shprehjen e lirë, debatin demokratik dhe informimin e paanshëm të të gjitha komuniteteve.
“Vazhdimi i funksionimit të RTK-së është thelbësor për jetën demokratike dhe besueshmërinë e Kosovës, qeverisjen transparente dhe reputacionin e medias. Si një rrugë përpara, ne inkurajojmë hapa drejt një modeli financimi të qëndrueshëm dhe transparent që mbron pavarësinë dhe rolin e RTK-së në shërbim publik,” thuhet në postimin e OSBE-së.
Ky vendim i Qeverisë vjen në një moment kur RTK-ja përballet me sfida të mëdha financiare, ndërsa mbështetja e jashtme synon të sigurojë funksionimin e vazhdueshëm të transmetuesit publik.