Kosova
Kryesore

Trump pretendon se ka ndaluar konfliktin Kosovë-Serbi, Osmani konfirmon masat e sigurisë

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se ka luajtur një rol në ndaljen e disa konflikteve ndërkombëtare, duke përfshirë edhe atë mes Kosovës e Serbisë. Deklaratat ai i bëri pas takimit në Alaska me presidentin rus Vladimir Putin, gjatë një interviste për Sean Hannity të Fox News.

Trump tha se ka negociuar “përfundimin e pesë luftërave” dhe i përshkroi këto konflikte si “të ashpra”. Ai përmendi ndër të tjera Indi-Pakistanin, Izrael-Iranin, Ruandë-Kongo, Kamboxhia-Tajlandë, Azerbajxhan-Armeni dhe Serbi-Kosovë.

“Ke luajtur një rol në të gjithë këto [konflikte] apo jo?”, e pyeti Hannity.
“Po. Ne bëmë diçka të jashtëzakonshme”, u përgjigj Trump.

Deklaratat e Trump lidhur me ndaljen e tensioneve mes Kosovës e Serbisë janë përforcuar edhe nga presidentja Vjosa Osmani. Ajo tha se në maj të këtij viti kishte marrë “informacione specifike” për veprimet e Serbisë në kufi me Kosovën.

“Menjëherë pas marrjes së këtyre informacioneve kam pasur takime me institucionet e sigurisë të cilat më raportojnë si presidente. Jemi siguruar që çdo institucion në Kosovë ka mobilizim të duhur për mbrojtje të vendit”, deklaroi Osmani në një konferencë për media në Prishtinë.

Deklaratat e Trump vijnë në një moment kur rajoni i Ballkanit vazhdon të mbetet i ndjeshëm ndaj tensioneve politike dhe sigurisë, ndërsa institucionet e Kosovës vijojnë përpjekjet për ruajtjen e stabilitetit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button