OSBE apel për fushatë zgjedhore të qetë dhe gjithëpërfshirëse në Kosovë

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka bërë thirrje sot ndaj partive politike, mediave dhe institucioneve publike, përfshirë organet e zbatimit të ligjit dhe autoritetet gjyqësore, që të sigurojnë një mjedis zgjedhor të respektueshëm, gjithëpërfshirës dhe në përputhje me ligjin.
Përmes një komunikate për media, OSBE u ka kërkuar subjekteve politike që të shmangin retorikat që nxisin armiqësi, diskriminim apo dhunë, duke theksuar se fushatat duhet të zhvillohen në mënyrë të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse.
Në apel, Misioni ka vënë në pah edhe rolin e mediave, duke theksuar rëndësinë e raportimit faktik gjatë cikleve zgjedhore. OSBE u ka bërë thirrje institucioneve mediale që të respektojnë standardet më të larta etike dhe të zbatojnë kodet përkatëse të sjelljes.
“Kjo qasje do të ishte në përputhje me normat demokratike dhe do të përforconte domosdoshmërinë e ofrimit të informacionit të paanshëm, të saktë dhe të balancuar, duke u mundësuar qytetarëve në Kosovë të bëjnë zgjedhje të informuara dhe të përgjegjshme”, thuhet në komunikatë.