Organizatat e dala nga lufta paralajmërojnë krizë institucionale në Kosovë: Apel për zgjidhje politike të qëndrueshme

Organizatat e dala nga lufta – OVL, SHIL dhe SHFD të UÇK-së, bashkë me Shoqatën e të Burgosurve Politikë dhe Shoqërinë “Lëvizja”, kanë ngritur alarmin për thellimin e krizës institucionale në vend, si pasojë e ngërçit politik që po pengon konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja.
Në një deklaratë të përbashkët të publikuar në Facebook, këto organizata shprehin shqetësimin e tyre për qëndrimin e ngurtë të partive politike, sidomos të partisë fituese, në një kohë kur vendi përballet me sfida të mëdha ekonomike, sociale dhe të sigurisë.
“Ne nuk paragjykojmë askënd, por kur interesi shtetëror vihet në rrezik për shkak të mungesës së kompromisit dhe kryeneçësisë politike, atëherë ndjejmë për detyrë të ngremë zërin publikisht,” thuhet në reagim.
Organizatat u bëjnë thirrje të gjitha subjekteve politike që të tregojnë pjekuri dhe të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme që respekton Kushtetutën dhe vullnetin e qytetarëve.
“Nuk luftuam për ngërçe politike, por për një Kosovë të lirë dhe funksionale. Nëse situata vazhdon, do të ndërmarrim hapa të mëtejshëm për të mbrojtur vlerat për të cilat u sakrifikua shumë,” paralajmërojnë ato.