Opozita serbe në kërkim të bashkimit: Thirrje për platformë të re në prag të zgjedhjeve lokale

Në prag të zgjedhjeve lokale në Kosovë, të caktuara për 12 tetor, brenda komunitetit serb po shtohen thirrjet për bashkim dhe krijimin e një platforme të përbashkët politike që do t’u kundërvihej politikave aktuale në Prishtinë dhe Beograd. Kjo iniciativë vjen nga radhët e aktorëve opozitarë, të cilët shprehin pakënaqësi me përfaqësimin dhe pozitën e serbëve në Kosovë.
Millija Bishevac, udhëheqës i Lëvizjes Popullore Serbe, kërkon një qasje të re dhe të guximshme pa ndarje e kalkulime partiake. Ai ka ftuar studentë, përfaqësues të shoqërisë civile, biznese dhe intelektualë që ta mbështesin këtë lëvizje, duke përjashtuar bashkëpunimin me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe ministrin Nenad Rashiq, të cilët i akuzon për përkeqësim të situatës në veri.
Në të njëjtën linjë, edhe Partia Demokracia Serbe ka përsëritur thirrjet për bashkim të opozitës. Nënkryetari i saj, Stefan Velkoviq, theksoi se kanë kërkuar unitet prej një viti, por pa sukses. Ai tha se tashmë kjo parti është shndërruar në një shtyllë të rëndësishme të opozitës, ndërsa kritikoi mungesën e reagimit ndaj, siç tha, persekutimit të udhëheqësit të partisë, Aleksandar Arsenijeviq, i cili ndodhet jashtë Kosovës dhe është në kërkim nga autoritetet.
Ndërkohë, politologu Ognjen Gogiq vlerëson se, përkundër zërave për bashkim, nuk ka ende vetëdije të pjekur mes aktorëve opozitarë për ndërtimin e një fronti të përbashkët. Sipas tij, Lista Serbe mbetet e pathyeshme për shkak të mbështetjes nga Beogradi, dhe pozitat e saj në dhjetë komunat me shumicë serbe nuk pritet të rrezikohen ndjeshëm.
Gogiq shton se për serbët në Kosovë është e vështirë të krijojnë një rrugë të tretë politike, përballë ndikimit të dyfishtë nga Prishtina dhe Beogradi. Sipas tij, nëse ndodh ndonjë bashkim opozitar, ai do të jetë i motivuar kryesisht nga përfitimet politike.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka nisur procesin e aplikimeve për certifikimin e partive dhe kandidatëve, i cili do të zgjasë deri më 13 gusht. Zgjedhjet e tetorit pritet të jenë vendimtare për rikthimin e përfaqësuesve serbë në institucionet lokale, që janë braktisur që nga nëntori i vitit 2022, me iniciativë të Listës Serbe.