Lajme

Operacioni “The Wanted”/ Kapen në Gjermani dhe Itali dy shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar, ekstradohen drejt Shqipërisë

Interpol Tirana ka finalizuar me sukses kapjen dhe ekstradimin drejt Shqipërisë të dy shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, në kuadër të operacionit të përbashkët ndërkombëtar “The Wanted”.

Në Gjermani, është kapur dhe është ekstraduar drejt Shqipërisë 21-vjeçari Danjel Lalaj, i kërkuar për veprimtari kriminale në formën e grupit të strukturuar në fushën e kultivimit të kanabisit. Për të, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” që në vitin 2021, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Ndërkohë, në Itali, në qytetin e Milanos, është arrestuar dhe ekstraduar drejt Shqipërisë shtetasi Kledjon Berberi, 35 vjeç, banues në Korçë. Ai ishte shpallur në kërkim për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Kanosja për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”. Sipas hetimeve, në qershor 2024, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, ai ka mbajtur me forcë brenda një automjeti dhe ka ushtruar dhunë fizike ndaj shtetasit K. V.

Policia e Shtetit bën me dije se operacionet për lokalizimin, arrestimin dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar vijojnë në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button