Lajme

Operacioni “Silent” në Tiranë: Arrestohen dy të rinj që transportonin armë për grupe kriminale

Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Silent”, pas një hetimi dymujor me metoda proaktive dhe përdorim të inteligjencës policore, me qëllim goditjen e furnizimit të grupeve kriminale me armë zjarri.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë dy të rinj, Arbër Hasa, 19 vjeç, dhe Joldi Peca, 20 vjeç, të dy banues në Vorë. Ata u ndaluan teksa udhëtonin me automjet në aksin rrugor “Qafë Kashar–Rinas”, ku gjatë kontrollit iu gjetën 4 armë zjarri pistoleta dhe një armë e ftohtë (thikë). Hetimet paraprake tregojnë se armët ishin destinuar për shitje te grupe kriminale, pas modifikimit me silenciatorë.

Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Vorë në bashkëpunim me Seksionin e Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Forcën e Posaçme Operacionale, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.

Gjatë fazës pasuese të operacionit, u ushtrua kontroll edhe në banesën e një shtetasi tjetër, G. Sh., 49 vjeç, mik i të arrestuarve. Në banesë u gjetën dhe sekuestruan një dorezë metalike dhe një shkop gome. Për posedimin e këtyre sendeve të kundërligjshme, ndaj tij nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme procedurale.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button