Operacioni “Imediat” në Tiranë/ Penguan dhe shantazhuan një 68-vjeçar për 2 milionë lekë, arrestohen 5 persona

Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Imediat”, duke arrestuar 5 persona të dyshuar për rrëmbimin dhe shantazhimin e një 68-vjeçari.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 29 prill, në rrugën “George W. Bush”, ku tre shtetas – Sulejman Sina, Klinton Sina dhe Idajet Mashollari – rrëmbyen me forcë 68-vjeçarin E.A. dhe e mbajtën peng në një banesë të braktisur në fshatin Kakunjë.
Autorët më pas kontaktuan bashkëshorten e viktimës, duke e kërcënuar për jetën e tij dhe i kërkuan një shumë prej 2 milionë lekësh për lirimin e tij. Shuma iu dorëzua Bajram Ibraliut, në zonën e Saukut.
Policia ndërhyri në kohë dhe, falë inteligjencës policore dhe veprimeve të shpejta hetimore, arriti të identifikojë dhe arrestojë të gjithë autorët e dyshuar: Sulejman Sina, Klinton Sina, Idajet Mashollari, Bajram Ibraliu dhe Nikoleta Begolli.
Gjatë kontrolleve në banesat e tyre dhe në një automjet të përdorur nga autorët, policia sekuestroi 1 746 000 lekë, të dyshuara si të marra nga shantazhi.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme procedurale, ndërsa hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.