Kosova

Operacion i gjerë i Policisë në Prishtinë: Mbyllen 15 lokale, arrestohen 34 persona dhe sekuestrohen armë e para

Policia rajonale e Prishtinës ka njoftuar për një operacion të suksesshëm të ndërmarrë që nga data 25 prill 2025, i cili kishte për qëllim goditjen e aktiviteteve të kundërligjshme si organizimi i lojërave të fatit, trafikimi i drogës dhe armëmbajtja pa leje.

Gjatë këtij operacioni janë vëzhguar 91 lokale, prej të cilave në 60 janë kryer kontrolle të detajuara. Si rezultat, 15 lokale janë mbyllur nga inspektorët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe nga inspektoratet komunale, për shkak të mungesës së dokumentacionit dhe licencave të nevojshme.

Policia ka bërë të ditur se janë iniciuar 25 raste penale dhe janë arrestuar gjithsej 34 persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari të paligjshme. Tetë prej tyre janë ndaluar me masë mbajtjeje prej 48 orësh, ndërsa 26 të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

Gjatë operacionit janë sekuestruar këto prova materiale:

18 aparate për lojëra të fatit

1 armë automatike AK-47

1 armë e shkurtë

Pajisje laboratorike për kultivim dhe përpunim të substancave narkotike

5,544.40 euro para të gatshme

3 laptopë

2 printerë për shtypje të tiketave

3 aparate për skanim të tiketave

16 telefona mobilë të dyshuar se janë përdorur për pagesa online në bastore sportive

Policia e Kosovës ka deklaruar se mbetet e përkushtuar në luftën kundër veprimtarive të jashtëligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike, duke vlerësuar lart bashkëpunimin institucional dhe profesionalizmin e zyrtarëve policorë gjatë këtij operacioni.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button