Sport

Olympique Marseille shfaq interes për Edon Zhegrovën, por analisti francez ngre dyshime për përshtatjen e tij

Edon Zhegrova është rikthyer në qendër të vëmendjes së futbollit me interesimin e klubit francez, Olympique Marseille, për transferimin e tij. Sipas mediave franceze, Marseille tashmë ka nisur bisedimet me Lille për të siguruar shërbimet e sulmuesit kosovar.

Megjithatë, ish-futbollisti dhe analisti i njohur francez, Kevin Diaz, ka shprehur rezervat e tij për Zhegrovën gjatë emisionit “After Foot” në “RMC Sport”. Diaz vë në pah talentin e 26-vjeçarit, por thekson se anësori ka shfaqur dobësi psikologjike që mund të ndikojnë në adaptimin e tij në një klub me kërkesa të larta si Marseille.

“Kam dyshime serioze nëse Zhegrova është i prerë për të punuar me një trajner dhe një drejtor sportiv kaq kërkues. Ai ka treguar cilësi, por edhe dobësi psikologjike. Nuk kam dyshime në talentin e tij, por jam skeptik për përshtatjen e tij në stilin dhe kërkesat e Marseille, e shoh më shumë si një rast si Wahi sesa si Rabiot,” tha Diaz.

Zhegrova nuk ka luajtur ndeshje zyrtare që nga dhjetori i vitit të kaluar dhe aktualisht po trajnohet individualisht duke pritur një klub të ri. Përveç Francës, spekulohej për një interesim nga Napoli në Itali, por tani duket se ai do të vazhdojë karrierën në Ligue 1.

Mediat franceze kanë kritikuar edhe papjekurinë e treguar nga futbollisti gjatë periudhës së fundit, duke nxitur debate rreth mundësisë së tij për të rimarrë formën dhe rolin në një skuadër të madhe si Marseille.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button