Kosova

OJQ-të: Miratimi i buxhetit nga Qeveria në detyrë bie ndesh me Kushtetutën dhe Ligjin e Qeverisë

Organizatat e shoqërisë civile kanë reaguar pas miratimit të buxhetit për vitin 2026 nga Qeveria në detyrë, duke e cilësuar këtë veprim si të kundërligjshëm dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në reagimin e tyre thuhet se votimi i buxhetit është bërë nga persona që tashmë janë të certifikuar si deputetë në Kuvendin e Kosovës, gjë që bie ndesh me parimin ligjor se një person nuk mund të ushtrojë njëkohësisht funksionin e deputetit dhe të anëtarit të Qeverisë.

“Veprimi i sotëm i Qeverisë në detyrë gjatë procedimit dhe miratimit të projektligjit të buxhetit bie në kundërshtim me kërkesat ligjore të përcaktuara në Ligjin e Qeverisë dhe vet Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kjo për faktin se sot votuan personat që janë të certifikuar si deputetë”, thuhet në reagimin e OJQ-ve.

Sipas tyre, çdo veprim që e anashkalon këtë parim cenon vlefshmërinë e ligjit për buxhetin dhe rrezikon stabilitetin institucional të vendit.

Në reagim, organizatat kanë kritikuar edhe mënyrën se si është përgatitur projektbuxheti, duke thënë se procesi është zhvilluar pa qasje gjithëpërfshirëse dhe pa konsensus politik.

“Një qasje e tillë cenon rëndë parimet e demokracisë, sidomos në periudhën e zgjedhjeve komunale dhe paralajmërimit të zgjedhjeve të përgjithshme”, thuhet më tej.

OJQ-të theksojnë se, ndonëse miratimi i buxhetit është jetik për funksionimin e shtetit, mënyra se si është proceduar sot, sipas tyre, përbën shkelje të Kushtetutës, ligjit dhe aktgjykimeve të deritanishme të gjykatave.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button