Lajme

Nxënës i vitit të dytë në Gjirokastër hidhet nga dritarja për një bast – përfundon në spital

Një ngjarje shqetësuese ka ndodhur këtë të hënë në gjimnazin “Siri Shapllo” në Gjirokastër, ku një nxënës i vitit të dytë, A. M., 17 vjeç, është hedhur nga dritarja e katit të dytë të shkollës, duke pësuar dëmtime fizike dhe përfunduar në spital.

Ngjarja ka ndodhur gjatë orarit mësimor, në prani të shokëve të klasës dhe stafit pedagogjik. Sipas dëshmive të mbledhura nga policia dhe burimeve pranë Drejtorisë Arsimore, mësohet se adoleshenti ka ndërmarrë aktin e rrezikshëm për shkak të një basti prej 10 mijë lekësh të vjetra, të vendosur mes shokëve të tij.

Tre bashkëmoshatarë të tij kanë dëshmuar para uniformave blu se adoleshenti ka vepruar si pjesë e këtij basti, duke rrezikuar jetën në mënyrë të pamenduar. Fatmirësisht, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën, edhe pse ka pësuar dëmtime në gjymtyrë dhe po trajtohet në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës.

Kjo është ngjarja e tretë e rëndë që regjistrohet në këtë institucion arsimor brenda tre muajve të fundit. Dy raste të tjera tragjike kanë përfshirë humbjen e jetës së dy nxënësve 16-vjeçarë në rrethana ende të paqarta, duke shtuar shqetësimin mbi gjendjen psikologjike të të rinjve dhe nevojën për ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse.

Policia vijon hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje. Ndërkohë, komuniteti arsimor dhe prindërit kërkojnë më shumë kujdes dhe masa parandaluese për të mbrojtur mirëqenien psikologjike të nxënësve.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button