Sport

Nuk është bërë që nga 2011 – Gyokeres pranë një arritjeje historike në Premier League

Viktor Gyokeres po ndjek një arritje të rrallë që nuk është përsëritur në Premier League prej vitit 2011, kur Arsenali do të përballet me Nottingham Forest.

Sulmuesi suedez iu bashkua “topçinjve” këtë verë për 64 milionë £, pasi shkëlqeu me Sportingun në Portugali, duke u shndërruar në një nga sulmuesit më të rrezikshëm të Europës. Arsenal fitoi garën për firmën e tij mes interesimit nga Manchester United dhe klube të tjera të mëdha.

Pas një debutimi të zbehtë kundër United, Gyokeres shpërtheu me dy gola në fitoren 6-0 ndaj Leeds, por pati ndikim të kufizuar në humbjen ndaj Liverpool në “Anfield”. Megjithatë, dy golat ndaj Leeds i hapin mundësinë për një rekord historik.

Nëse shënon sërish dy ose më shumë gola në përballjen e radhës në “Emirates”, ai do të bëhet vetëm lojtari i tretë në historinë e Premier League që arrin të shënojë dy herë ose më shumë në dy paraqitjet e tij të para në shtëpi. Deri më sot këtë e kanë arritur vetëm David Hirst (1992) dhe Sergio Aguero (2011).

Gyokeres ka një formë të mirë para portës me shtatë gola në 10 ndeshjet e tij të fundit në shtëpi, mes Arsenalit dhe Sportingut, çka rrit pritshmëritë e tifozëve.

Ndeshja ndaj Nottingham Forest do të jetë e veçantë edhe për trajnerin Ange Postecoglou, i cili debuton në stol pas zëvendësimit të Nuno Espirito Santo. Forest ende nuk ka arritur të mbajë një portë të paprekur këtë sezon, gjë që mund t’i japë një avantazh sulmuesit suedez.

Ndërkohë, Jamie Carragher mbetet skeptik për të ardhmen e Gyokeres në “Emirates”. Ish-mbrojtësi i Liverpool tha se Arteta do të rikthehet te Kai Havertz si sulmues qendror sapo gjermani të jetë plotësisht i gatshëm.

“Ka pasur shumë diskutime përpara se të vinte, rekordi i tij i golave ishte i jashtëzakonshëm, por disa thoshin se nuk është për elitën e vërtetë. Tani i ka vetëm tri ndeshje, dy gola, por nuk është lojtari më i bukur për t’u parë. Unë mendoj se Havertz do të luajë ndeshjet më të rëndësishme”, tha Carragher për “Overlap”.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button